He Qiaonv, dizenjuesja e peizazheve të brendshme që nuk i ka frikë dështimet

2017-06-21 20:20:13 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesja dhe kryetarja e bordit të kompanisë së dizenjimit të peizazheve të brendshme ""Orient Landscape" të Pekinit, He Qiaonv, thotë se arsyeja e suksesit të saj është se nuk ka pasur frikë nga dështimet, duke arritur të ngrihet pas çdo rrëzimi dhe duke u bërë tashmë një ndër biznesmenet më të njohura dhe më të pasura në Kinë.

He Qiaonv, e lindur në një fshat malor në provincën Zhejiang në 1966, shkoi në metropolin e madh kinez Pekin për të studiuar në Universitetin e Pylltarisë, duke ndjekur një traditë të familjes. Pylltaria është një degë që vlerësohet si "mashkullore", por He Qiaonv ishte një natyrë e pavarur, që sfidonte stereotipin tradicional për femrën në atë kohë. Pas diplomimit në vitin 1988, ajo u kthye në provincën e vet Zhejiang, e pikërisht në kryeqendrën e kësaj province Hangzhou, duke filluar aty një punë në shtet.

Në vitin 1990, He Qiaonv e ndihmoi të atin, një tregtar i suksesshëm lulesh dhe fidanësh, për të prodhuar produkte peizazhesh në miniaturë dhe për t'ua shitur ato klientëve të huaj në një panair. Aftësitë e saj në tregti, të ndërthurura me njohuritë e saj për bimët dhe njohja e mirë e anglishtes, siguruan porosi të shumta nga biznesmenët e huaj në panair, duke e bindur He Qiaonv-n se kjo ishte karriera që duhej të ndiqte.

Po atë vit He shkoi në Pekin për të parë një ekspozitë me pemë japoneze në miniaturë, të njohura si bonsai. Kjo e frymëzoi për të nisur biznesin e shitjes së këtyre pemëve. Por He Qiaonv nuk u mjaftua vetëm me bonsait. Në vitin 1991 ajo nisi të blejë bimë zbukuruese në Guangzhou dhe t'ua shesë ato hoteleve me pesë yje në Pekin, duke bërë edhe planifikimin e peizazheve të brendshme të këtyre hoteleve. Duke parë rritjen e shpejtë të tregut të brendshëm, He Qiaonv kaloi në dizenjimin në shkallë të gjerë të peizazheve të brendshme si për klientë shtetërorë, ashtu edhe privatë.

"Gjithkush me të cilin bisedoja i donte bimët, lulet dhe pemët. Por në atë kohë kishte mungesë të gjelbërimit në hapësirat ku njerëzit jetonin e punonin. Kështu që shpesh pyesja veten, pse projektuesit nuk i mbushnin hapësirat boshe me atë që njerëzit donin të shihnin e nuhatnin," thotë ajo.

Në vitin 1992 He Qiaonv krijoi firmën e vet, paraardhësja e "Orient Landscape", që kishte si fokus pikërisht projektimin e peizazheve të brendshme, por pa kaluar shumë ajo u ndesh me probleme, për shkak të tërheqjes së ortakëve të vet. He po ashtu bëri një investim të madh në xeherorët e hekurit, po humbi më pas gjithçka.

"Kurrë nuk do t'i harroj ato kohë të vështira, kur të gjitha frikërat që kisha si e sapofutur në fushën e biznesit, po binin mbi mua një nga një," shprehet ajo. "Në kriza si këto, mund t'ia vësh fajin vetëm vetvetes ... dhe mund të mbështetesh vetëm te vetvetja për të dalë nga telashet."

Dhe kështu He Qiaonv nuk u dorëzua. Në vitin 1994, ajo filloi dizenjimin e peizazheve të brendshme për ndërtesat e reja në rrethinat e Pekinit, që synonin të kishin si klientë të tyre kryesisht të huajt. Dy vitet në vijim do të ishin mjaft fitimprurës për firmën "Orient Landscape" të He Qiaonv. "Në vitet 1995 dhe 1996, pothuajse të gjitha peizazhet e brendshme të pasurive të patundshme të të huajve në Pekin u bënë nga ne," tregon He. Kjo çoi në më shumë projekte për kompaninë e He Qiaonv-së, duke përfshirë edhe ato për ndërtesa të tilla të njohura në Pekin si "Oriental Plaza".

Ndërsa biznesi i saj u rrit, He Qiaonv vendosi që hapi i ardhshëm i kompanisë "Orient Landscape" të ishte bërja e saj publike, duke u regjistruar në bursë. Në përgatitje për një gjë të tillë, He e zgjeroi me shpejtësi biznesin e kompanisë së vet edhe jashtë Pekinit, duke ndërmarrë projekte në mbarë vendin. Në vitin 2003, "Orient Landscape" kishte në zbatim 80 projekte anembanë Kinës, me 700 punonjës.

Por pas problemeve në bursën NASDAQ në ShBA, rregullatorët kinezë i shtrënguan rregullat për regjistrimin e kompanive në bursë. Kjo ishte përsëri një periudhë mjaft e vështirë për He Qiaonv dhe "Orient Landscape", që ishte zgjeruar më shumë sesa i kishte mundësitë. Kompania u detyrua të bënte shkurtime. Numri i punonjësve të saj arriti përkohësisht në 200.

Por përsëri He Qiaonv nuk e dha veten. Në verën e vitit 2008, kur tashmë kishte nisur kriza financiare globale, disa nga produktet e "Orient Landscape"u përdorën për zbukurimin e objekteve ku u zhvilluan Lojërat Olimpike të Pekinit, duke shtuar njohjen ndërkombëtare të kompanisë.

Një vit më pas, "Orient Landscape" nisi shërbimin për projekte madhore të Bashkisë së Pekinit, duke përfshirë edhe terminalin e ri të aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit kinez.

Kompania më në fund u regjistrua në burse në vitin 2010. Vlera e saj e tregut arrin tashmë në 6 miliardë dollarë. Ndërkohë, pasuria e He Qiaonv-së, që tashmë është edhe një ndër bamirëset më të njohura në Kinë, arrin në 2.1 miliardë dollarë.

Kur u pyet nga një media vendore se si arriti të bëhet miliardere, biznesmenia 51-vjeçare u përgjigj: "Kurrë nuk kam pasur frikë nga dështimet e rastit, megjithëse kam marrë disa goditje përgjatë rrugës".

Mrekulli
Lajmet Kryesore