Konferenca Botërore e Internetit, publikohen raportet për internetin në botë dhe Kinë

2017-12-12 18:31:42 CRI Komenti juaj Printoni

Në Konferencën e 4-t Botërore të Internetit (WIC 2017) të zhvilluar pak ditë më parë, u publikuan për herë të parë dy "libra blu", që janë përkatësisht "Raporti i zhvillimit të internetit në botë 2017" dhe "Raporti i zhvillimit të internetit në Kinë 2017". Në "Raportin e zhvillimit të internetit në botë 2017" është përfshirë për herë të parë sistemi i treguesve për zhvillimin e internetit në botë, duke bërë renditjen e 38 vendeve dhe ekonomive të reja në zhvillimin e internetit.

Në sistemin e treguesve të zhvillimit të internetit në botë janë përzgjedhur 38 vende, që përfshijnë ekonomitë kryesore dhe vendet me zhvillim të mirë interneti të pesë kontinenteve, duke pasqyruar gjendjen e fundit të zhvillimit global të internetit. Në konferencën e shtypit në kuadër të kësaj konference, kryetari i Akademisë së Hapësirës Kibernetike të Kinës Zhang Shuzhen vuri në dukje se ky sistem treguesish ka si synim që të vlerësohen në mënyrë komplekse nivelet e zhvillimit të përgjithshëm të internetit dhe të zhvillimit për frymë të sektori. Kjo është në të mirë të vlerësimit të nivelit të zhvillimit të internetit në botë në mënyrë më të gjithanshme, më objektive dhe më të saktë.

"Në procesin e krijimit dhe vlerësimit të këtij sistemi treguesish, përcaktuam treguesin e kategorisë A me gjashtë faktorë: infrastruktura e inovacioni, si edhe zhvillimi, përdorimi, siguria dhe menaxhimi i internetit, si në nivelin e përgjithshëm, ashtu edhe për frymë. Kemi bërë vlerësime dhe krahasime të përgjithshme për gjendjen e internetit në 38 vendet kryesore dhe ekonomitë e reja të botës," thotë Yang Shuzhen-i.

Këto 38 vende përfshijnë gjashtë vende të Amerikave, 13 aziatike, 14 evropiane, katër afrikane dhe një të Oqeanisë. Sipas vlerësimit, Shtetet e Bashkuara, Kina, Koreja e Jugut, Japonia dhe Britania renditen në pesë vendet e para. Në përgjithësi, ekonomitë e zhvilluara kanë nivelin më të lartë të zhvillimit të internetit dhe pas tyre, janë vendet në zhvillim në Europë dhe Azi. Por vendet dhe rajonet në zhvillim në Amerikën Latine dhe ato të Afrikës Nënsahariane po shtojnë përpjekjet e tyre në këtë drejtim.

Ndërkohë, në "librin blu" tjetër, "Raporti i zhvillimit të internetit në Kinë 2017", është bërë rishikimi i përgjithshëm i zhvillimit të internetit në Kinës në pesë vjetët e fundit, duke treguar në mënyrë të përgjithshme përvojën e Kinës në menaxhimin e internetit. Kryetari i Akademisë së Hapësirës Kibernetike të Kinës Zhang Shuzhen shprehet:

"Kemi bërë analiza shkencore dhe vlerësime statistikore mbi nivelin e zhvillimit të internetit në krahinat e ndryshme të vendit duke u mbështetur në të gjashtë faktorët: infrastruktura, inovacioni, zhvillimi, përdorimi, siguria dhe menaxhimi i internetit. Kjo ka një rëndësi të madhe reference për strategjitë e zhvillimit të internetit, shfrytëzimin e epërsive dhe rritjen e nivelit të menaxhimit të internetit nga këto krahina."

Sipas raportit, Guangdong-u, Pekini, Zhejiang-u, Jiangsu dhe Shangai renditen në pesë vendet e para. Kina zë vendin e parë në botë për numrin e përdoruesve të internetit e shitjen me pakicë në internet, dhe vendin e dytë për vëllimin e ekonomisë dixhitale.

Në "Raportin e zhvillimit të internetit në botë 2017" vihet në dukje se teknologjitë e reja të informacionit, si inteligjenca artificiale, janë kthyer në bazën e re të konkurrencës teknologjike globale dhe ekonomia dixhitale është bërë motor i ri për rritjen ekonomike të vendeve të botës.

Presidenti i grupit "Yonyou" Wang Wenjing shprehet se ekonomia dixhitale përfshin dy anë. Nga njëra anë, ndërmarrjet tradicionale duhet të formojnë një sistem prodhimi e menaxhimi më efikas dhe më të saktë nëpërmjet ndryshimit të modelit të zhvillimit; nga ana tjetër, duhet të krijohen sektorë të rinj të dixhitalizuar.

"Nga ana tjetër, në procesin e dixhitalizimit të biznesit dhe ekonomisë, do të lindin shumë sektorë të rinj dhe kompani të reja, si kompanitë që merren me ekonominë dixhitale. Kjo do të nxitë zhvillimin e mëtejshëm strukturor të sektorit tonë. Së pari, duhet të nxitet dixhitalizimi i ndërmarrjeve tradicionale. Së dyti, duhet të lindin sektorët e rinj të dixhitalizuar, çka do të nxitë zhvillimin ekonomik drejt ekonomisë dixhitale. Të dyja këto janë impulse të reja për zhvillimin ekonomik," thotë Wang Wenjing, presidenti i grupit "Yonyou.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore