MTL-ja mes dy vendeve pritet t'i japë nxitje turizmit nga Kina në Zelandën e Re

2017-03-27 10:48:55 CRI Komenti juaj Printoni
Teksa Kina dhe Zelanda e Re po vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të vitit 2008 mes tyre, vëzhguesit besojnë se sektori i turizmit në Zelandën e Re do të marrë një hov të madh në të ardhmen.

Një rekord prej 422 000 turistësh kinezë shkuan në Zelandën e Re gjatë vitit të kaluar.

David Craig, menaxher për Azinë i Korporatës së Turizmit të Zelandës së Re, thotë se ngritja e nivelit të MTL-së do të stimulojë rritjen e turizmit:

"E ardhmja është shumë pozitive dhe ne jemi shumë të angazhuar me Kinën si një mundësi e mirë afatgjatë. Turizmi në thelb lidhet me nxitjen e kontakteve njerëzore dhe një MTL e përmirësuar është diçka e mirë për turizmin, prandaj ne e mirëpresim atë".

Lidhur me aviacionin civil, "Sichuan Airlines" do të bëhet kompania e shtatë ajrore kineze që do të ofrojë udhëtime për në Zelandën e Re, kur të fillojë fluturimet e drejtpërdrejta nga Chengdu në qershor.

Kompania ajrore neozelandeze "Air New Zealand" gjithashtu ofron dhjetë fluturime javore për në Shangai gjatë sezonit të pikut dhe mirëpret konkurrencën.

Cam Wallace, kryezyrtari i të ardhurave i "Air New Zealand", vëren:

"Sa më shumë kompani ajrore kineze të vijnë në Zelandën e Re, aq më shumë promovohet Zelanda e Re si një destinacion për turistët kinezë, kështu që kjo ndihmon në stimulimin e tregut."

Sipas parashikimeve, numri i turistëve kinezë në Zelandën e Re do të dyfishohet, duke arritur në më shumë se 900 mijë deri në vitin 2022, dhe turistët kinezë do t'i kalojnë ata australianë për sa u përket shpenzimeve në Zelandën e Re.

Brett O'Riley, shef ekzekutiv në Departamentin e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit të Oklandit, shpreson se vizitorët nga Kina do të bëjnë më shumë investime biznesi në vendin e tij:

"Ata mund të vijë këtu së pari si turistë, por mund të kthehen për herë të dytë si investitorë, ose si emigrantë, ose si prindër studentësh të huaj. Ne duam që turizmi të rritet, por do të ishte mirë që turizmi të mos lidhej thjesht me pushues, por me biznesmenë".

Vlerësohet se turizmi nga Kina do të kontribuojë më shumë se pesë miliardë dollarë për ekonominë e Zelandës së Re brenda gjashtë vjetësh.

Mrekulli
Lajmet Kryesore