13 të vdekur dhe rreth 100 të plagosur nga sulmi terrorist në Barcelonë

2017-08-18 09:43:19 CRI Komenti juaj Printoni

 

13 të vdekur dhe rreth 100 të plagosur është bilanci i sulmit terrorist të së enjtes pasdite në qytetin spanjoll, Barcelonë. Një furgon përplasi kalimtarët në një nga bulevardet më popullorë të Barcelonës, të enjten dhe policia spanjolle e cilësoi aktin, " sulm terrorist".

Nga 100 të plagosurit, shumica janë në gjendje kritike për jetën, ndaj autoritetet spanjolle shprehen se numri i viktimave mund të rritet. Policia ka arrestuar dy të dyshuar, por ka raportuar se asnjeri prej tyre nuk ngiste furgonin. Shteti Islamik (IS) ka marrë përgjegjësinë e sulmit.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe qeverinë spanjolle. Ndërsa zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, gjatë një ndalese në Kanalin e Panamasë në kuadër të turit të tij në Amerikën Latine, foli për sulmin terrorist në Barcelonë.

"Dua të flas për sulmin e tmerrshëm të para pak orëve në Barcelonë të Spanjës, për skenat e fundit të masakrës së rëndë. Ashtu siç theksoi pak më parë presidenti Trump, SHBA-ja dënon sulmin terrorist dhe do të japë ndihmën e saj. Pavarësisht se nga kush është frymëzuar ky sulm, SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë popullin spanjoll, të gjejë dhe të ndëshkojë fajtorët. Në këtë ditë të errët lutjet tona dhe të popullit amerikan janë për viktimat, familjet e tyre dhe popullin spanjoll", tha numri dy i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa presidenti i Francës Emmanuel Macron, vendi i të cilit u përball me një sulm të ngjashëm vitin e kaluar në Nisë, ku humbën jetën 86 vetë, ka shprehur ngushëllimet e tij, duke ofruar ndihmë për Spanjën. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore