2017-08-19 10:01:07 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Autoritetet qendrore kineze thonë se do të kufizojnë investimet e kompanive kineze jashtë vendit në sektorin e pasurive të paluajtshme, në klubet sportive etj., duke nxitur investimet në infrastrukturë dhe teknologjinë e re.
Sipas një dokumenti të publikuar nga Këshilli i Shtetit të premten, Kina do të ndalojë investimet në sektorë si lojërat e fatit, dhe do t'i kufizojë ato në pasuritë e paluajtshme, hoteleri, kinema, industrinë e argëtimit dhe klubet sportive.
Ndërkohë, qeveria thekson se nxit investimet në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" ose ato në fusha që ndihmojnë në rritjen e nivelit industrial, duke përfshirë teknologjinë e lartë dhe sektorët e përparuar të prodhimit.
Dokumenti është një përgjigje ndaj problemeve të shfaqura kohët e fundit me investimet jashtë vendit, siç janë procedurat e dobëta të vendimmarrjes dhe mosplotësimi i standardeve vendore të mjedisit dhe sigurisë.
Autoritetet kineze kanë rritur përpjekjet për të frenuar blerjet intensive jashtë vendit nga kompanitë ambicioze kineze, si "Wanda", HNA dhe "Anbang".