Francë, mbahet samit për ndryshimin e klimës

2017-12-13 09:32:23 CRI Komenti juaj Printoni

 

Udhëheqës dhe përfaqësues të organizatave kryesore ndërkombëtare janë mbledhur në samitin "Një Planet" në Paris për të përshpejtuar veprimin ndërkombëtar të klimës.

Presidenti francez Emmanuel Macron mbajti fjalimin e hapjes, duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë të përmbushin zotimet për të fituar luftën kundër ngrohjes globale.

"Kemi hyrë sot në kohën për veprim. Urgjenca është e përhershme dhe sfida e brezit tonë është që të veprojmë sa më parë për ta fituar këtë betejë. Duhet të zbatojmë masat konkrete që do të ndryshojnë vendet, shoqëritë dhe ekonomitë tona në mënyrë që fëmijët tanë dhe ndoshta edhe vetë ne të jetojmë në një planet të pastër dhe të mos vuajmë nga ngrohja globale."

E bashkëorganizuar nga Franca, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, fokusi i samitit njëditor është shqyrtimi se si mund të përdoren fondet publike dhe private për ndryshimet klimatike.

Kina është përfaqësuar në këtë samit nga zëvendëskryeministri Ma Kai.

Në samit janë gjithashtu të pranishëm sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres si dhe presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim.

Samiti përkon me dyvjetorin e krijimit të marrëveshjes së klimës së Parisit, e cila është ratifikuar nga 170 vende.

Pas shpalljes nga ShBA-ja për t'u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit këtë vit, Franca njoftoi se po krijonte nismën "Një Planet" për të mbajtur gjallë frymën e Marrëveshjes së Parisit.

Ekspertët thonë se pa triliona dollarë investime për energji të pastër, qëllimi i planit të klimës për të mbajtur ngrohjen globale nën 2 gradë nga nivelet paraindustriale, do të mbetet vetëm një ëndërr. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore