BAII, 335 milionë dollarë për ndërtimin e linjës së metrosë në Bangalore të Indisë

2017-12-13 09:44:03 CRI Komenti juaj Printoni

Një ditë pas shpalljes së investimit të saj të parë në Kinë, Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (BAII) bëri të ditur të martën se ka miratuar një hua prej 335 milionë dollarësh për ndërtimin e një metroje në qytetin indian Bangalore. Kjo është hera e parë që BAII jep hua për projektin e ndërtimit të një metroje dhe që bashkëfinancon me Bankën Europiane të Investimeve.

Në projektin e ndërtimit të linjës R6 të metrosë së qytetit të Bangalores, që do të furnizohet krejtësisht me energji elektrike, Banka Europiane e Investimeve është financuesja kryesore me një investim të përgjithshëm prej 500 milionë eurosh.

Dharmakkan J. Pandian, zv.president dhe kryezyrtar i investimeve në BAII, thotë se investimi në këtë projekt bazohet kryesisht në besimin se cilësia e udhëtimit mund të përmirësohet ndjeshëm dhe të ulet harxhimi i lëndëve djegëse fosile, duke ndihmuar në pakësimin e ndotjes së ajrit dhe zvogëlimin e zhurmave dhe duke e bërë kështu Bangaloren një qytet "të jetueshëm".

Linja R6 e metrosë së Bangalores do të ketë drejtimin veri-jug dhe do të kalojë nëpër qendrën e qytetit. Kur kjo linjë të vihet në shfrytëzim, koha e udhëtimit mund të ulet nga dy orë në 15 minuta.

BAII ka miratuar më shumë se 20 projekte investimesh me vlerë të përgjithshme mbi 3.7 miliardë dollarë. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore