Tian Jia, kampionia kineze e volejbollit në rërë

2017-07-31 14:31:27 CRI Komenti juaj Printoni

Më 28 korrik nisi në kryeqytetin e Austrisë Vjenë Kampionati Botëror i Volejbollit në Rërë. Në këtë kampionat do të marrin pjesë edhe dy çifte volejbollistesh kineze, përkatësisht Wang Fan/Yue Yuan, fituese tre medaljesh bronzi në Turet Botërore të Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit në Rërë, dhe Wang Xinxin/Xue Chen, fituese nëpër veprimtari të ndryshme ndërkombëtare. Xue Chen ka marrë edhe medaljen e bronzit në Olimpiadën e Pekinit të vitit 2008, ndërkohë që ka zënë vendin e katërt në Olimpiadën e Londrës katër vjet më pas.

Kina është bërë tashmë një emër i respektuar për sa i përket volejbollit në rërë për femra, përkrah Shteteve të Bashkuara, Brazilit etj. Ajo që vlerësohet si lojtarja më e suksesshme kineze e volejbollit të rërës është Tian Jia, fituese medaljesh të shumta në Olimpiada, kampionate kombëtare e ndërkombëtare dhe veprimtari të tjera, duke përfshirë medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të Pekinit, duke qenë dëshmi e zhvillimit të volejbollit në rërë për femra të Kinës.

Tian Jia ka lindur më 9 shkurt 1981 në Tianjin, një qytet në Kinën Veriore pranë kryeqytetit Pekin. Ajo filloi të luante volejboll që kur ishte 11 vjeçe, në Shkollën e Edukimit Fizik në qytetin e saj, ndërsa nisi të merret me volejbollin në rërë në moshën 16-vjeçare. Një vit më pas ajo u bë pjesëtare e ekipit "Bayi", duke u përfshirë në atë që quhet Ekipi Kombëtar i Stërvitjes për Volejbollin në Rërë i Kinës.

Suksesin e parë Tian Jia do ta kishte në vitin 2000, kur u shpall kampione në kampionatin e parë kombëtar të volejbollit në rërë të Kinës.

Po në vitin 2000 Tian Jia do të merrte pjesë në Olimpiadën e Sidneit, ku volejbolli në rërë u bë për herë të parë një sport olimpik, duke zënë vendin e 19-të, me partnere Zhang Jingkun-in. Nuk ishte një vend i lakmuar, por do të ishte vetëm një nisje.

Në vitin 2001 Tian Jia dhe partnerja e saj e re Wang Fei u shpallën kampione në Lojërat e 9-ta Kombëtare të Kinës, kurse një vit më pas do të ishin kampione në Lojërat Aziatike të zhvilluara në Busan të Koresë së Jugut. Po në vitin 2002 Tian Jia dhe Wang Fei triumfuan në Kampionatin Kombëtar të Volejbollit në Rërë. Në vitin 2003 ato fituan edhe në Turin Botëror të Volejbollit në Rërë në Indonezi dhe Itali.

Për fat të keq, në Lojërat Olimpike të Athinës të vitit 2004, Tian Jia dhe partnerja e saj Wang Fei nuk arritën të kalonin përtej fazës në grup, edhe për shkak të një dëmtimi që pësoi Wang Fei.

E teksa Tian Jia u detyrua ta ndërpriste para kohe Olimpiadën, ekipi kinez i volejbollit të femrave mori medaljet e arta. Duke parë gëzimin e kolegeve të veta, për herë të parë Tian Jia dyshoi në vendimin e vet për të zgjedhur volejbollin në rërë ndaj atij në sallë. Pas Olimpiadës së Athinës Tian Jia vendosi ta lërë volejbollin në rërë, por trajneri i saj dhe shoqet e ekipit kombëtar e bindën ta kthente këtë vendim. "Mendoj se lumturia më e madhe është kur trajneri dhe shoqet e ekipit të bëjnë të ndihesh si një familje," thotë Tian Jia.

Në vitin 2005, Tian Jia dhe Wang Fei fituan medaljen e bronzit në Kampionatin Botëror të Volejbollit në Rërë në Berlin të Gjermanisë.

Duke filluar që nga viti 2006, Tian Jia nisi të luajë me një partnere të re, Wang Jie. Dyshja fitoi atë vit Turin Botëror të Volejbollit në Rërë në Austri dhe Poloni. Një vit më pas, Tian dhe Wang dolën të dytat Kampionatin Botëror të Volejbollit në Rërë të zhvilluar në Gstaad të Zvicrës, duke marrë medaljet e argjendta.

Po në vitin 2007 Tian Jia u rendit e para në klasifikimin e Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit në Rërë, duke pritur me padurim pjesëmarrjen e vet të tretë në olimpiadë, që këtë herë do të organizohej në atdheun e saj, Kinë.

Ndeshjet e volejbollit në rërë në Olimpiadën e Pekinit të vitit 2008 u zhvilluan në një prej parqeve më të mëdha të kryeqytetit kinez, Parkun "Chaoyang". Aty ishte ndërtuar enkas për olimpiadën një stadium me mbi 12 000 vende, ndërsa fusha ishte krijuar me 17 mijë tonë rërë të marrë nga ishulli jugor Hainan i Kinës, një ishull shumë i dashur për Tian Jia-në dhe ku ajo stërvitej për disa muaj në vit.

Tian Jia dhe Wang Jie shkuan të pamposhtura deri në finale, ku përballë kishin çiftin amerikan, fitues të medaljeve të arta në Olimpiadën e Athinës, Misty May-Treanor/Kerri Walsh.

Në një ndeshje të fortë e me rivalitet, në atë që u quajt "finale e lagur", pasi u zhvillua kryesisht nën shi, amerikanet fituan 2-0 (21-18, 21-18).

Tian Jia dhe Wang Jie arritën kështu të sigurojnë medaljet e argjendit, teksa çifti tjetër kinez, Xue Chen /Zhang Xi, fituan medaljet e bronzit, dëshmi e rritjes së sportit të volejbollit në rërë për femra në Kinë.

Pas Olimpiadës së Pekinit, Tian Jia vendosi të tërhiqet si lojtare, duke filluar karrierën e trajneres, për të stërvitur kampionet e reja kineze të sportit të bukur të volejbollit në rërë. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore