Giggs, legjenda 23-vjeçare e "Premier League"-s

2017-08-14 16:37:35 CRI Komenti juaj Printoni

Më 11 gusht nisi sezoni i ri i Kampionatit Anglez të Futbollit, "Premier League", një ndër kampionatet më të forta të futbollit në Europë. Ndër emrat e mëdhenj që kanë luajtur në këtë kampionat, pa dyshim më i spikaturi është ai i Ryan Giggs-it. Ai është lojtari që e ka fituar më shumë "Premier League", plot 13 herë, gjithnjë me të njëjtin ekip, "Manchester United". Numri 11 i "djajve të kuq" është po ashtu lojtari që ka vendosur rekordin e numrit të sezoneve rresht ku ka shënuar, 23 të tilla, duke mos arritur të shënojë vetëm në sezonin e fundit.

Ai po ashtu ka fituar me "Manchester United" katër "FA Cup", tre Kupa të Ligës, dy Liga Kampionesh, një Kupë Bote për Klubet, një Kupë Ndërkontinentale dhe një Superkupë të UEFA-s, ndërkohë që ka fituar edhe shumë tituj e çmime individuale, duke u vlerësuar si futbollisti më i suksesshëm britanik i brezit të tij.

Ryan Giggs-i ka lindur më 29 nëntor 1973 në Kardif. Babai i tij, Danny Wilson, ishte lojtar regbie, e kështu Ryan-i i vogël e kalonte kohën duke luajtur regbi, por edhe futboll, me bashkëmoshatarët e tij. Ryan-i jetoi në kryeqytetin e Uellsit deri në moshën 7-vjeçare. Më pas familja e tij u zhvendos në Swinton, pasi i ati do të luante për ekipin e regbisë të kësaj qyteze.

Kur prindërit e Ryan-it u ndanë, ai la mbiemrin e të atit dhe mori mbiemrin e vajzërisë të së ëmës, Lynne Giggs, duke u bërë kështu ai emër që më vonë do të bëhej aq i njohur, Ryan Giggs. Ky emër është bërë i pandarë nga ai i "Manchester United"-it, e megjithatë, nuk ishin "djajtë e kuq" për të cilët do të luante në fillim Ryan Giggs-i, por rivalët e tyre të "Manchester City"-t. Por "City" nuk arriti ta mbajë gjatë djaloshin e talentuar. Një nga punonjësit e fushës në stadiumin e "Manchester United"-it, "Old Trafford", që e shihte shpesh 13-vjeçarin duke luajtur dhe i kishte lënë mbresa, i foli për të Sir Alex Fergusonit. Pasi e pa në një ndeshje ku Giggs-i shënoi tre gola, pikërisht në ditën kur Giggs-i po festonte ditëlindjen e vet të 14-të, Sir Alex Fergusoni shkoi në shtëpinë e tij dhe i ofroi të luante për ekipet e fëmijëve të "Manchester United".

Fiks tre vjet më vonë, ditën që mbushi 17 vjeç, Ryan Giggs-i u bë pjesë e ekipit të parë të "Manchester United"-it, duke nisur rrugën e futbollistit profesionist.

Ryan Giggs-i e pati debutimin në "Premier League" në ndeshjen e "United" ndaj "Evertonit" në "Old Traford" më 2 mars 1991, kur zëvendësoi Denis Irwin-in e dëmtuar. Ndërkohë, në ndeshjen e vet të parë me formacionin e parë, më 5 maj 1991, pikërisht kundër "Manchester City"-t, Ryan Giggs-i u vlerësua si autor i golit të vetëm, ndonëse duket më shumë si një autogol i mbrojtësit të "Manchester City"-t. Ja se çfarë shkruante "Observer" pas ndeshjes: "Të luash ndeshjen tënde të parë të plotë për 'Manchester United' në një stadium të mbushur plot kundër 'City'-t është mjaft emocionuese. Ta bësh këtë në moshën 17-vjeçare është edhe më romantike. Por shënimi i golit të vetëm të ndeshjes është pothuajse shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Por ishte."

Giggs-i e mori trofeun e vet të parë kur "Manchester" fitoi me "Nottingham Forest" në finalen e Kupës së Ligës Angleze të Futbollit të vitit 1992. Giggs-i dha pasimin për Brian McClair-in, që shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Fill më pas - në fund të sezonit të tij të parë të plotë - Giggs u votua Lojtari i Ri i Vitit nga kolegët e tij.

Në sezonin 1992-1993, forma gjithnjë në rritje e Ryan Giggs-it dhe mbërritja e Eric Cantona-së do të shënonin fillimin e mbizotërimit të "Manchester United"-it. Në atë sezon "djajtë e kuq" fituan si kampionatin, ashtu edhe "FA Cup", ndërkohë që dolën edhe në finale e Kupës së Ligës Angleze të Futbollit. Një sezon më pas "Manchester United" fitoi për të dytin vitin radhas titullin kampion në "Premier League", falë edhe golave të shumtë të shënuar nga Giggs-i, ndërsa vetë Giggs-i u bë i pari futbollist që fitonte dy herë radhas çmimin e "Lojtarit të ri më të mirë vitit" të dhënë nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë.

Në sezonin 1994-1995, dëmtimet bënë që Giggs-i të luante vetëm në 29 ndeshje e të shënonte vetëm një gol, e si rrjedhim "Manchester United" nuk fitoi ndonjë trofe të madh. Megjithatë, një sezon më pas, Giggs-i u kthye plotësisht në formë e falë edhe kësaj "Manchester United" fitoi për të dytën herë si "Premier League", ashtu edhe "FA Cup".

Në sezonin 1996-1997, ishte radha që Giggs-i ta tregonte veten edhe në Europë, kur ndihmoi në arritjen e "Manchester"-it në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve për herë të parë pas 28 vjetësh, megjithatë nuk arriti dot në finale, pasi u eliminua nga "Borusia" e Dortmundit.

Një sezon më pas Giggs-i përsëri do të vuante nga dëmtimet e përsëri "Manchester"-i nuk fitoi asnjë trofe kryesor, por në vitin 1999 karriera e Ryan Giggs-it do të arrinte kulmin, kur ekipi i tij fitoi si "Premier League" e "FA Cup" në Angli, ashtu edhe Ligën e Kampioneve. Disa nga shokët e tij të ekipit thanë me shaka se ajo që kishin arritur ishte aq e madhe, saqë duhej të bënin një sezon pushim, e madje dhe ta linin futbollin. Por Giggs-i, që në atë kohë kishte fituar edhe "Urdhrin e Perandorisë Britanike", kishte si moto që trofeu harrohet menjëherë pasi merret, prandaj fokusi duhet të jetë te përpjekjet për të fituar të tjerë trofe.

Giggs-i do të vazhdonte të ishte përsëri kyç për "djajtë e kuq", kur në katër sezonet e mëpasme ata fituan tre herë "Premier League"-n. Ndërkohë në vitin 2004 ai u bë lojtari i dytë pas Roy Keane-it që fitonte katër herë me "Manchester" "FA Cup".

Në vitin 2005 Ryan Giggs-i u bë pjesë e Hollit të Famës të Futbollit Anglez. Në sezonin 2006-2007, "Manchester United" fitoi përsëri "Premier League". Ky ishte titulli i nëntë i "Premier League"-ës për Giggs-in, duke vendosur rekord.

Duke filluar nga sezoni i ardhshëm, për shkak të moshës, Sir Alex Ferguson nisi të mos e aktivizojë me kohë të plotë futbollistin e vet të parapëlqyer, duke e vendosur edhe në një pozicion më të tërhequr.

Megjithatë, në vitin 2009, Giggs-i u votua si "Personaliteti sportiv i vitit i BBC-së", vetëm disa muaj pasi kishte fituar çmimin "Lojtari i vitit" i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë.

"Është e pazakontë për një 36-vjeçar që të luajë me një ekip si 'Manchester United' për 20 vjet. Por unë po e shijoj një gjë të tillë dhe kjo mund të vazhdojë gjatë," u shpreh Giggs-i.

Në 1 mars 2013, Giggs-i nënshkroi kontratë me "Manchester"-in për të luajtur deri në qershor 2014. Katër ditë më vonë ai do të luante ndeshjen e vet të 1000-të, pikërisht kundër "Realit" të Madridit. Në 2 nëntor, në ndeshjen kundër "Shakhtar"-it të Donetskit për "Champions League", Giggs-i u bë lojtari me më shumë pjesëmarrje në këtë veprimtari.

Më 19 maj 2014 Ryan Giggs-i njoftoi lënien e karrierës së tij të gjatë e të shkëlqyer futbollistike. Tre nga shokët e tij të ekipit në atë kohë, përfshirë edhe shqiptarin Adnan Jonuzaj, nuk kishin lindur kur Giggsi kishte filluar të luante për "djajtë e kuq".

Përveçse me "Manchester"-in, Ryan Giggs-i ka luajtur edhe për kombëtaren e Uellsit, që nga viti 1991 deri në vitin 2007. Por me gjithë 64 ndeshjet e luajtura dhe 12 golat e shënuara për kombëtaren e vendit të vet, kjo e fundit nuk arriti të kualifikohej gjatë kësaj periudhe në kampionatin europian ose atë botëror.

Mospjesëmarrja e Giggs-it – ashtu si e një legjende tjetër të futbollit britanik para tij, irlandezoveriorit George Best, në një kampionat botëror ose kampionat europian, nga shumë specialistë dhe dashamirës futbolli është quajtur diçka për të ardhur keq.

Nëse do të kishte ndodhur kjo pjesëmarrje, fama e Ryan Giggs-it do të ishte më e madhe. E megjithatë, emri i tij do të mbetet ndër më të mëdhenjtë e futbollit britanik dhe të atij botëror. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore