Li Xiaopeng, gjimnasti më i suksesshëm kinez

2017-10-09 16:17:58 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 2-8 tetor u zhvillua në Montreal të Kanadasë Kampionati Botëror i Gjimnastikës Artistike. Gjimnasti kinez Li Xiaopeng është prej atyre që e kanë fituar më shumë këtë veprimtari, duke dalë për herë të parë kampion bote në moshën 16 vjeç. Ai ka qenë mbizotërues në ushtrimet në paralele dhe kërcim kaluçi për një dekadë të tërë, duke qenë fitues edhe katër medaljesh olimpike e duke u bërë gjimnasti më i suksesshëm kinez i të gjitha kohërave.

Li Xiaopeng-u ka lindur në 17 korrik 1981 në Changsha të provincës Hunan, një qytet i njohur për një numër gjimnastësh kampionë që ka nxjerrë përgjatë viteve. Ai nisi të merret me sportin e gjimnastikës në moshën gjashtëvjeçare, i frymëzuar kryesisht nga idhulli i tij Li Ning, gjimnasti legjendar kinez, fitues i tre medaljeve të arta në Lojërat Olimpik të Los Anxhelesit të vitit 1984 dhe që do ishte ndezësi i flakës olimpike në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës së Pekinit të vitit 2008.

Shpejt u bë e qartë se Li Li Xiaopeng-u ishte një fëmijë i talentuar në gjimnastikë dhe në moshën 12-vjeçare, ai u pranua si pjesëtar i ekipit të gjimnastikës të provincës Hunan. Pas fitores së disa titujve në rang province, për aftësitë e Li Xiaopeng-ut nuk kishte më dyshim dhe ai u përzgjodh pjesëtar i ekipit kombëtar kur ishte 15 vjeç. Suksesi nuk do të vononte. Një vit më pas ai u bë gjimnasti më i ri në vendin e tij që fitonte një titull kampion, kur Kina fitoi garën ekipore në Kampionatin Botëror të vitit 1997 në Lozanë të Zvicrës dhe Li ishte pjesë e këtij ekipi. Por përveç këtij suksesi "kolektiv", në atë kampionat ai fitoi edhe dy medalje individuale, pikërisht të argjendit në paralele dhe të bronzit në ushtrimet e lira.

Këto ishin ndër të paktat medalje argjendi dhe bronzi të fituara nga Li Xiaopen-i në karrierën e vet, sepse pothuajse çdo medalje tjetër e fituar prej tij në vijim, do të ishte e artë. Kështu në Kupën e Botës një vit më pas, 1998, ai do të fitonte dy medalje të arta, përsëri në ushtrimet në paralele dhe në kërcim kaluçi, e po ashtu edhe në Lojërat Aziatike do të fitonte dy medalje të tjera të arta, një ekipore dhe një në paralele. Më pas, për shkak edhe të një dëmtimi në bërryl, Li Xiaopeng-u vendosi të specializohej në ushtrimet në paralele e në kërcimin e kaluçit dhe do të bëhej mbizotërues absolut në të dy këto disiplina në dekadën në vijim.

Li e fitoi titullin e vet të parë individual kampion bote në Tianjin të Kinës në vitin 1999 në kërcim kaluçi, dhe Federata Ndërkombëtare i vuri emrin e Li Xiaopeng-ut kërcimit karakteristik të tij. Pas një viti, paraqitja e tij e shkëlqyer në ushtrimet e lira, unaza, kërcim kaluçi, paralele dhe hekur gjimnastikor në Olimpiadën e Sidneit të vitit 2000 bënë që Kina të fitojë medaljen e vet të parë olimpike si ekip në gjimnastikë. Vetë Li Xiaopeng-u fitoi pastaj medalje ari individuale në paralele, me një interpretim fantastik që bëri që një tjetër lëvizje të merrte emrin e tij.

Pas një viti pa medalje të fituara nga Li Xiaopeng-u, 2001, për shkak të mospjesëmarrjes së tij në asnjë veprimtari e rëndësishme ndërkombëtare, do të pasonin ato që mund të quhen dy vitet më të suksesshëm në karrierën e tij për sa u përket medaljeve të arta. Kështu në vitin 2002 gjimnasti kinez fitoi medalje të arta në të gjitha garat ku mori pjesë, një në paralele në Kupën e Botës, në paralele dhe kërcim kaluçi në Kampionatin Botëror dhe në këto disiplina dhe medalje të artë ekipore në Lojërat Aziatike. Kurse një vit më pas, në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Anaheim të Kalifornisë, ai fitoi tre medalje të arta dhe u votua si gjimnasti më i mirë në botë për vitin 2003.

Por siç ndodh shpesh në sport, të gjitha këto arritje e kishin një çmim, dëmtimet fizike. Ishte pikërisht një dëmtim në kyçin e këmbës arsyeja përse në Lojërat Olimpike të Athinës të vitit 2004 Li arriti të fitojë vetëm një medalje bronzi në paralele, kurse një vit më pas vetëm një medalje argjendi po në paralele. Pas operacionit në janar të vitit 2006, ai fitoi medalje të artë në paralele në finalen e Kupës së Botës në dhjetor. Megjithatë, një frakturë që pësoi në Kampionatin Botëror të Shtutgartit një vit më pas do ta mbante larg nga konkurrimi atë vit.

Duke menduar të tërhiqej nga sporti, për shkak se, siç është shprehur vetë, i mungonte "motivimi për të vazhduar" për shkak edhe të dëmtimeve, ashtu edhe si një numër sportistësh të tjerë kinezë, Li Xiaopeng-u vendosi të bënte një rikthim në vitin 2008, kur për herë të parë Olimpiada zhvillohej në Kinë. Ai shfaqi edhe një herë lëvizjen e tij të mirënjohur që kishte marrë emrin e vet, në ushtrimet në paralele, duke fituar medalje e artë olimpike. "Ari është i rëndë," u shpreh Li Xiaopeng-u pas fitores. "Unë do ta çmoj atë, sepse shumë njerëz kanë bërë përpjekje për këtë arritje timen."

Pastaj ai shkëlqeu përsëri në dy disiplinat e tij të parapëlqyera në garën ekipore, duke kontribuar në fitoren e një tjetër medaljeje të artë nga Kina. Dy medaljet e Li Xiaopeng-ut në Pekin e çuan numrin e medaljeve të arta të fituara prej tij në veprimtari të mëdha ndërkombëtare në 16, dy më shumë se idhulli i tij Li Ning dhe më shumë se çdo gjimnast tjetër kinez.

Pas Olimpiadës së Pekinit, Li Xiaopeng-u vendosi tërheqjen përfundimtare nga gjimnastika si sportist, teksa ka shprehur dëshirën për t'u bërë gjyqtar ndërkombëtar i këtij sporti.

Edhe jeta personale e Li Xiaopeng-ut në njëfarë mënyrë është e pandarë nga sporti i tij, gjimnastika. Bashkëshortja e tij Li Anqi është një kinezo-amerikane, të dy prindërit e së cilës kanë qenë gjimnastë. Babai i saj Li Xiaoping, emri i të cilit për rastësi ndryshon vetëm me një shkronjë nga ai i bashkëshortit të saj, Li Xiaopeng-ut, është gjimnasti i parë kinez që ka fituar një titull kampion bote në kalin me dorëza, kurse e ëma, Jia Wen, ka fituar ndër të tjera medaljen e artë në Lojërat Aziatike në disiplinën e ushtrimeve të lira.

Li Xiaopeng-u dhe Li Anqi u takuan për herë të parë në Kampionatin Botëror të vitit 2003 në Anaheim të Kalifornisë, ku babai i Li Anqi-së ishte shoqërues dhe përkthyes i ekipit kinez. Li Xiaopeng-u thotë se për të ishte një dashuri me shikim të parë, e mbase kjo ishte edhe një arsye për paraqitjen e tij të shkëlqyer në atë kampionat, duke fituar pra tre medalje të arta. Li Xiaopeng-u dhe Li Anqi u martuan në vitin 2010 dhe kanë tani dy fëmijë, një vajzë 5-vjeçare dhe një djalë një vjeç.

Li Xiaopeng-u dhe vajza, Olivia, kanë qenë pjesëmarrës në shfaqjen televizive "Babai u kthye", ku baballarët kujdesen për fëmijët e tyre për 48 orë, pa ndihmën e gruas a të ndonjë njeriu tjetër. Pas babait të saj, edhe vogëlushja e këndshme Olivia ka fituar tashmë zemrat e shikuesve. Dhe tashmë ajo i ka shfaqur disa të dhëna se mund të bëhet një gjimnaste e zonja si i ati. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore