Lang Ping, "çekani i hekurt" i volejbollit kinez 

2017-10-09 17:24:28 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 5 deri më 10 shtator 2017 u zhvillua në Tokio dhe Nagoya të Japonisë Kupa Botërore e Kampioneve të Volejbollit për Femra, një turne ndërkombëtar që organizohet një herë në katër vjet nga Federata Ndërkombëtare e Volejbollit. Në këtë veprimtari morën pjesë gjashtë ekipe kombëtare të katër konfederatave. Kampione e turneut u shpall Kina, me pesë fitore dhe asnjë humbje, duke treguar edhe një herë mbizotërimin e vajzave volejbolliste kineze në arenën ndërkombëtare, pas fitores së medaljeve të arta në Olimpiadën e Rios vjet. Por pa dyshim një meritë mjaft të madhe në këtë triumf ka edhe trajnerja e ekipit kinez Lang Ping. Lang Ping-u ka qenë edhe vetë një volejbolliste e shquar, fituese si lojtare me ekipin kinez të medaljeve të arta në Olimpiadën e Los Anxhelesit të vitit 1984, duke u bërë e vetmja deri tani që ka fituar medalje të arta olimpike edhe si volejbolliste, edhe si trajnere. Për goditjet e saj të forta ajo ka marrë edhe nofkën "Çekani i hekurt". Në vitin 2002 Lang Ping-u u bë pjesë e Hollit të Famës të Volejbollit.

Lang Ping-u ka lindur më 10 dhjetor 1960 në qytetin Tianjin të Kinës.

Në moshën 13-vjeçare, për shkak edhe të shtatlartësisë, ajo hyri në një shkollë sportive amatore në Pekin, duke u stërvitur në volejboll. Një vit më vonë Lang Ping nisi studimet në një shkollë të mesme të Pekinit dhe u bë pjesë e ekipit të volejbollit të shkollës, ndërkohë që në moshën 16-vjeçare, falë talentit të spikatur, u pranua në ekipin e volejbollit të të rejave të Pekinit. Nuk do të kalonin veçse dy vjet dhe Lang Ping do ta shihte veten në ekipin kombëtar të volejbollit të Kinës, madje si shuterja kryesore. Nën drejtimin e saj ekipi i Kinës do të njihte vetëm ngjitje.

Në vitin 1979, një vit pasi Lang Ping ishte bërë pjesë e tij, ekipi kombëtar kinez fitoi Kampionatin e Volejbollit për Femra të Azisë, ndërsa në vitin 1981 do të pasonte fitorja e titullit të parë botëror nga volejbollistet kineze, që fituan Kupën e Botës të zhvilluar atë vit në Japoni. Triumfi i volejbollisteve kineze do të vijonte thuajse i pandërprerë vit pas viti. Në 1982 ato fituan Kampionatin Botëror, ndërsa në 1984 do të ishte arritja më e madhe e volejbollit kinez deri në atë kohë. Në Olimpiadën e Los-Anxhelesit, vajzat kineze mposhtën ndjeshëm ekipin vendës të Shteteve të Bashkuara me rezultatin 3-0, duke marrë medaljet e arta olimpike.

Kjo paraqitje e Kinës do të vazhdonte edhe një vit më pas, në 1985, kur fitoi përsëri Kupën e Botës. Lang Ping u shpall lojtarja më e mirë e turneut. Në vitin 1986, ekipi kinez fitoi për herë të dytë kampionatin botëror të volejbollit për femra. Kjo do të shënonte edhe fundin e karrierës së Lang Ping-ut, të pagëzuar si "çekani i hekurt", për shkak të goditjeve të saj të fuqishme.

Në të gjitha triumfet e arritura nga ekipi kinez, Lang Ping-u kishte një rol të pazëvendësueshëm. Fakti që me tërheqjen e saj ekipi kinez e ndërpreu atë varg rezultatesh të jashtëzakonshme e tregon një gjë të tillë. Për kinezët, ajo u bë një figurë shumë e dashur dhe burim krenarie kombëtare. Pamja e saj duke goditur topin me gjuajtjen e saj "të hekurt" u stampua në pulla postare, disa pallateve të sportit iu vu emri i saj dhe kur Lang Ping-u u martua në vitin 1987, dasma e saj u transmetua në TV kombëtar.

Pas lënies së sportit Lang Ping-u vendosi të vazhdonte studimet, e për këtë qëllim shkoi në Shtetet e Bashkuara, në Universitetin e Nju-Meksikos, duke nisur programin "master" në menaxhimin e sportit. Por edhe aty nuk i ndërpreu lidhjet me volejbollin, duke nisur karrierën e re të saj, atë të ndihmëstrajneres së ekipit të femrave këtij Universiteti. Në vitin 1989 Lang Ping-u shkoi në Itali, si trajnere e ekipit të femrave të Modenës, që atë sezon fitoi Kupën. Pas një viti do të ishte kulmi i parë i karrierës së Lang Ping-ut si trajnere, kur ajo do të drejtonte ekipin kombëtar kinez të femrave, që doli atë vit nënkampion botëror.

Një vit më pas Lang Ping-u u rikthye në ShBA, si trajnere e ekipit të Universitetit të Nju-Meksikos, por në vitin 1995 do të ishte përsëri trajnere e ekipit kombëtar të vendit të saj, Kinës, që fitoi Kupën Aziatike në 1997, kurse një vit më pas medaljet e arta në Lojërat Aziatike dhe medaljet e argjendta në Kampionatin Botëror.

Në vitin 1999, Lang Ping-u shkoi përsëri në Itali, një tjetër vend që ajo e adhuron. Për gjashtë vjet ajo do të punonte si trajnere e ekipeve të ndryshme italiane, derisa në vitin 2005 do të vinte një tjetër kulm i karrierës së Lang-ut, kur ajo do të përzgjidhej për të qenë trajnere e ekipit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Nën drejtimin e Lang Ping-ut ekipi amerikan nisi të kishte një rritje të madhe, derisa mbërriti viti 2008, kur Olimpiada do të zhvillohej në atdheun e saj, Kinë. Ndonëse zemra e Lang Ping-ut ishte te ekipi kinez, mendja e saj si profesioniste ishte te ekipi që drejtonte. E po ashtu, ndërsa ShBA-ja ishte rivalja kryesore e Kinës për medalje olimpike, kur ishte fjala te volejbolli i femrave, pas ekipit të tyre, sportdashësit kinezë mbështetnin ekipin amerikan që kishte si trajnere idhullin e tyre.

Në përfundim, volejbollistet amerikane morën medaljet e argjendta, kurse ato kineze të bronzta.

Pas Olimpiadës Lang Ping-u shkoi në Turqi si trajnere e "Telecom" të Ankarasë, ndërsa në 2009 u kthye në Kinë për të drejtuar ekipin "Evergrande" të Guangdongut. Në vitin 2013, për të tretën herë, Lang Ping-u do të ftohej të drejtonte ekipin kombëtar të volejbollit të femrave të Kinës. Dhe këtë herë ajo do të kishte arritjen e saj më të madhe si trajnere. Pas marrjes së medaljeve të argjendta në Kampionatin Botëror të vitit 2014 e të atyre të arta në Kupën e Botës një vit më pas, do të vinte Olimpiada e Rios e vitit 2016.

Ekipi kinez shkonte aty si favorit, meqë një vit më parë kishte dalë kampion bote dhe përbëhej nga vajza të reja të talentuara, me një moshë mesatare 24 vjeç dhe një gjatësi mesatare prej 188.5cm. Megjithatë, skuadra e filloi turneun e saj me humbje ndaj Holandës, Serbisë dhe ShBA-së dhe mezi arriti ta kalojë fazën e grupeve, duke dalë në vendin e katërt e duke iu dashur të përballet me ekipin e fortë vendës të Brazilit, që ishte fitues i medaljeve të arta në dy olimpiadat e mëparshme, të Pekinit e Londrës dhe që në ndeshjet në grup kishte arritur pesë fitore e asnjë humbje. Dhe pas humbjes së setit të parë 25-15, kur pothuajse askush nuk mendonte se mund të fitonte, skuadra kinez arriti një nga kthesat më mbresëlënëse në historinë e volejbollit, duke mposhtur vendëset 3-2, para se të hakmerrej në gjysmëfinale për humbjen në grup ndaj Holandës, për të vijuar me një tjetër hakmarrje në finale, duke triumfuar 3-1 ndaj Serbisë, me të cilën gjithashtu kishte që humbën në fazën në grupe. Edhe një herë Lang Ping-u çoi në atdheun e saj medaljet e arta olimpike, këtë herë si trajnere.

Kohët e fundit Lang Ping-u u kthye në detyrë, pas një ndërprerjeje 6-mujore për shkak të një operacioni. Duket sikur edhe tani ajo është po aq aktive si kur ishte lojtare dhe bëri të paktën dhjetë operacione për shkak të ngarkesës së madhe dhe dëmtimeve të shumta. Megjithatë, vëmendja e saj tani është te Olimpiada e ardhshme në Tokio.

"Sportistët kanë një thënie, që duhet t'ia fillosh nga zeroja menjëherë sapo zbret nga podiumi", thotë Lang Ping. "Medaljet e arta të Rios tashmë i përkasin së kaluarës. Duhet të përgatitemi për të gjitha sfidat që na presin në Tokio".

(Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore