Peshëngritësi Ymer Pampuri, kampioni i vetëm botëror i Shqipërisë

2017-10-16 16:36:54 CRI Komenti juaj Printoni
Më 15 tetor ka nisur në Tiranë Kampionati Europian i të Rinjve dhe i Moshave nën 23 Vjeç. Pa dyshim peshëngritja, së bashku me qitjen, janë dy sportet më të suksesshme në Shqipëri. Disa peshëngritës shqiptarë kanë dalë kampionë bote në peshëngritje, por, për fat të keq, vetëm një prej tyre në emër të Shqipërisë. Ai është Ymer Pampuri, kampioni i vetëm botëror i Shqipërisë, e po ashtu edhe rekordmeni i vetëm olimpik e botëror, rekordi i të cilit mbetet në fuqi edhe sot.

Ymer Pampuri ka lindur më 30 prill të vitit 1944. Pasioni i tij i parë ka qenë cirku, me të cilin filloi të merret që kur ishte shtatë vjeç. Por më pas mjeshtri Telat Agolli do të zbulonte një talent tjetër të Pampurit, që ishte ngritja e shtangës. Dhe kështu Agolli do të bëhej trajneri i parë i Ymer Pampurit, duke nisur ta stërviste atë, ndonëse në kushte e me pajisje jo shumë të mira. "Ushtroheshim në baraka, ku më shumë thithnim pluhur sesa stërviteshim. Edhe mjetet nuk ishin të mira. Peshëngritja shihej si një sport amator. Rreth viteve '65 - '66 në Shqipëri erdhën teknikë nga Kina, të cilët sollën me vete edhe mjetet. Atëherë, ne nisëm të stërviteshim si duhet," ka kujtuar për shtypin shqiptar Pampuri.

Trupi i fuqishëm dhe vullneti, disiplina e serioziteti në stërvitje do të bënin që Ymer Pampuri të shquhej jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1964, në moshën 20-vjeçare, Pampuri u shpall kampion kombëtar, duke ngritur 120 kilogramë në stilin e forcës. E më pas, për më shumë se dhjetë vjet me radhë, ai do të ishte një mbizotërues absolut në peshëngritjen shqiptare, si pjesëtar i klubit "17 Nëntorit", sot Sportklub "Tirana", duke thyer edhe më shumë se 60 rekorde kombëtare.

Ndërkohë, viti 1972 do të ishte viti i arritjeve ndërkombëtare të Ymer Pampurit, që do të ishin njëkohësisht suksese për peshëngritjen e për mbarë sportin shqiptar. Atë vit ai do të ishte një ndër peshëngritësit që do të përfaqësonin Shqipërinë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes që zhvillohej në Konstancë të Rumanisë. Pampuri është shprehur se në këtë përfaqësim të parë jashtë vendit, shumë nga peshëngritësit shqiptarë, pa përvojë në ballafaqime të tilla ndërkombëtare, kishin emocione, gjë që i pengoi në arritjen e rezultateve të larta. Megjithatë, ai vetë arriti të ngrinte 125 kg, po aq sa peshëngritësi që zuri vendin e parë, por Pampuri u shpall nënkampion për shkak të peshës trupore më të madhe.

Më pas do të vinte radha e Lojërave Olimpike të Mynihut të vitit 1972. Para olimpiadës Ymer Pampuri dhe trajneri i tij, Zydi Mazreku, deklaruan se do të merrnin medalje. Mjaft nga drejtuesit e sportit shqiptar në atë kohë jo vetëm e morën një deklarim të tillë si një shaka, por pati edhe nga ata që kërkuan që Pampuri të mos merrte fare në Gjermani, pasi nuk ishte mirë mendërisht. Ishte e papërfytyrueshme që një sportist shqiptar të triumfonte në ngjarjen më të madhe të sportit botëror, me gjithë rezultatet e mira që kishin arritur disa prej tyre në atë kohë.

"Unë kisha bërë një përgatitje të mirë fizike dhe teknike, dhe së bashku me trajnerin kishim besim", është shprehur Pampuri. "Drejtuesit e sportit mendonin se kjo deklaratë imja ishte vetëm një lajthitje e mendjes. Madje më quajtën edhe të çmendur dhe për këtë kërkuan që para se të nisesha në Gjermani të bëja dhe një vizitë te mjeku neurolog."

Dhe vërtet vizita të tilla mjekësore u bënë, që konfirmuan se një deklarata të tilla ishte bërë nga bindja e sportistit dhe jo nga ndonjë çrregullim mendor. Bindje që do të provohej se ishte e drejtë në 29 gusht 1972, kur peshëngritësi shqiptar ngriti në Mynih 127.5 kg në kategorinë deri 60 kg, duke mposhtur rivalët e fortë sovjetikë e japonezë dhe duke thyer edhe rekordin olimpik të mbajtur nga japonezi Yoshibonu Miyake. "Unë nuk isha njohur me rregullat e olimpiadës dhe në provën e parë u dogja, sepse më mbaruan sekondat për ekzekutimin e saj. Në provën e dytë, shtova direkt dy kg për të kompensuar humbjen e parë. Ngrita 125 kg. Në provën e tretë ngrita 127.5 kg duke thyer rekordin botëror", ka rrëfyer Pampuri. Duke shtuar më tej: "Ky mbetet ende një rekord i pathyer, sepse stili i forcës u hoq si disiplinë, pasi u konsiderua i dëmshëm për shëndetin."

Megjithatë, për fat të keq, medaljet olimpike jepeshin vetëm për të treja disiplinat së bashku (forcë, shtytje dhe shkëputje). Meqë, siç ka vënë re historian i Olimpiadave David Wallechinsky, dy disiplinat e tjera nuk ishin shumë të zhvilluara në Shqipëri, në tregarësh Ymer Pampuri doli vetëm në vendin e nëntë me 342.5 kilogramë. Por meqë në atë kohë, garat e peshëngritjes në Olimpiadë vlerësoheshin edhe si kampionat botëror, ku jepeshin medalje të veçanta për të tre disiplinat, Ymer Pampuri mori medaljen e artë të kampionit botëror.

Katër vjet më pas, po në Gjermani, Pampuri do të merrte medaljen e bronzit në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Berlin.

Ymer Pampuri e la sportin në vitin 1980, në moshën 36-vjeçare, duke iu rikthyer dashurisë së vet të parë, cirkut. Për rezultatet e jashtëzakonshme në karrierën sportive, ai u nderua me çmimin "Mjeshtër i Madh i Punës" dhe me urdhrin "Naim Frashëri" të klasit të parë.

Ymer Pampuri u nda nga jeta në janar të këtij viti, në moshën 73-vjeçare. Pas vdekjes, presidenti Bujar Nishani i akordoi titullin "Nderi i Kombit".

Ndërsa presidenti i nderit i FShP-së, Gudar Beqiraj, është shprehur: "Legjendë është pak të thuash për Pampurin. Do të thoja se është unikal në të gjithë historinë e sportit shqiptar. Është i vetmi rekordmen olimpik dhe rekordmen bote që ka Shqipëria. Kështu që nga kjo pikëpamje unë mendoj se është ndarë nga jeta vërtet një personazh i papërsëritshëm deri më sot në fushën e sportit".

Mrekulli
Lajmet Kryesore